Ballina Bota

KIEV – Zelensky: Bisedimet e paqes pa Ukrainën janë të papranueshme

KIEV, 13 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka refuzuar sërish me vendosmëri bisedimet për paqen në Ukrainë pa pjesëmarrjen e Kievit.

“Ne nuk do të pranojmë asnjë negociatë dypalëshe për Ukrainën pa ne”, u tha Zelensky gazetarëve në një udhëtim në një termocentral bërthamor në Ukrainën perëndimore.

Ai tha se paqja e qëndrueshme nuk mund të arrihet pa pjesëmarrjen e qeverisë së tij.

Ukraina është mbrojtur kundër një pushtimi rus për gati tre vjet me ndihmën e Perëndimit.

Presidenti amerikan Donald Trump dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë duke zhvilluar negociata të drejtpërdrejta me presidentin rus Vladimir Putin, ndoshta në një samit në Arabinë Saudite.

Lidhur me pjesëmarrjen e shteteve të tjera evropiane në bisedimet e ardhshme të paqes, Zelensky tha se “unë jam gjithashtu shumë i etur që Evropa të jetë atje”.

Zelensky do të diskutojë situatën me përfaqësuesit evropianë në Konferencën e Sigurisë në Mynih këtë fundjavë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se do të ketë edhe negociata dypalëshe mes SHBA-së dhe Rusisë dhe bisedime me pjesëmarrjen e Ukrainës.

“Do të ketë një kanal dypalësh ruso-amerikan të dialogut dhe një kanal në të cilin është përfshirë edhe Ukraina”, tha Peskov në Moskë./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBiznesit iu rimbursuan 22 miliardë lekë TVSH, koha mesatare 31 ditë
Artikulli tjetërKINEMA – Tilda Swinton: Shumë akte çnjerëzore po kryhen në kohën tonë