TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vendosi 5 minuta pushim në seancën e sotme plenare, pasi foltorja e Kuvendit u bllokua nga deputetët e Partisë Demokratike.
Kryetari i PD, Sali Berisha mori fjalën për procedurë, por kërkoi që në seancë të vinte Kryeministri Edi Rama.
Berisha kërkoi rikthimin urgjent në Kuvend të Kryeministrit Rama, i cili, sipas tij duhet të ndërpresë çdo lloj forme presioni ndaj të burgosurit Erion Veliaj, të cilin urdhëroi ta dërgojnë në Durrës.
“Ky i papërgjegjshëm është i gatshëm të ndërmarrë çdo akt pasi vetë ka marrë fund përfundimisht”, tha Berisha.
Ndërsa Spiropali i tërhoqi vëmendjen, Berisha tha se ligji për ndalimin e çdo veprimtarie të Xhorxh Sorosit në Shqipëri dhe fonacionit të tij, e ndalimit të të gjitha organizatave sorosiane që të kenë çfarëdolloj bashkëpunimi me institucionet shtetërore, është një emergjencë.
Por Spiropali i ndërpreu fjalën duke i thënë se kjo nuk është për procedurë dhe se e ka emrin të regjistruar për të folur për pr/ligjin dhe mund të flasë më pas.
Në këtë moment deputetë të PD-së bllokuan foltoren, duke mos lejuar vijimin e seancës.
Spiropali ndërpreu seancën 5 minuta dhe u shpreh se nëse nuk vendoset rregulli mund të kalohet direkt në votim të pr/ligjeve në rendin e ditës. /j.p/






















