GAZA, 11 shkurt /ATSH-DPA/ – Hamasi hodhi poshtë kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump për lirimin e të gjithë pengjeve deri në mesditë të së shtunës.
Trump, në fjalimin e tij të hënën, reagoi ndaj deklaratave të Hamasit se do të vonojë lirimin e mëtejshëm të pengjeve në Rripin e Gazës, pasi akuzoi Izraelin për shkeljen e kushteve të armëpushimit të brishtë që hyri në fuqi më 19 janar.
Zëdhënësi i Hamasit Sami Abu Zuhri tha se respektimi i kushteve të marrëveshjes së nënshkruar tre javë më parë ishte mënyra e vetme për të garantuar dorëzimin e pengjeve në Izrael.
Ebu Zuhri theksoi se përdorimi i gjuhës kërcënuese është i papërshtatshëm dhe vetëm i komplikon gjërat.
Trump ka deklaruar se është në favor të anulimit të armëpushimit nëse të gjithë pengjet e mbetur nuk lirohen deri në “të shtunën në mesditë”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk specifikoi se për cilën zonë kohore i referohej.
”Nëse kjo nuk ndodh, i gjithë ferri do të shpërbëhet”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
Hamasi deri më tani ka liruar 16 nga 33 pengjet izraelite që do të dorëzohen gjatë fazës së parë aktuale të armëpushimit trefazor./ /os/























