TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Komisioni i Ligjeve pezulloi sot shqyrtimin e projektligjit të “Paketës së Maleve”, pas pretendimeve të opozitës se drafti bie në kundërshtim me rregullat e Kodit Zgjedhor.
Deputetët e opozitës në Komision kërkuan shtyrjen e shqyrtimit të Paketës së Maleve, pasi sipas tyre ligji ka ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e 11 majit.
“35 organizata të shoqërisë civile kërkojnë shtyrjen e shqyrtimit të projektligjit për të pasur transparencë. Është ligj me ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e 11 majit”, u shpreh deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi.
Edhe deputetët demokratë Dash Sula dhe Greta Bardeli e konsideruan projektligjin në shkelje të Kushtetutës.
Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko u shpreh se është dakord me kërkesën që projektligji të mos miratohet sot, pasi sipas tij ka nevojë për diskutim.
“Që të marrim vesh nëse projektligji është në shkelje të kodit zgjedhor, ne duhet ta dëgjojmë një herë. Mos e bëni primitive sjelljen, se ju keni lidhur edhe kontratë me një amerikan për një fushatë moderne. Nuk do ta kalojmë sot këtë projektligj”, u shpreh deputeti i PS-së, Petro Koçi.
Ndërsa deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri propozoi që projektligji të dëgjohet dhe t’i kërkohet opinion edhe KQZ-së mbi të. “Ka disa ndalime për ligjet që kanë përfitime, ne si deputetë duhet ta dëgjojmë që ta gjykojmë”, shtoi ai.
Në përfundim kryetarja e komisionit Klotilda Bushka propozoi pezullimin e shqyrtimit të projektligjit, në mënyrë që më pas ta vendosin të gjithë bashkë.
Projektligji ndërmerret për të fuqizuar ekonomikisht zonat malore dhe për të zhvilluar edhe më shumë turizmin.
/m.m/j.p/r.e/






















