TIRANË, 24 janar /ATSH/ Partia Demokratike ka nisur hapat e parë për procesin e primareve, ku u ka kërkuar kryetarëve të degëve të PD-së se nëse duan të marrin pjesë në primare e të garojnë për deputet, duhet të japin dorëheqjen nga posti që kanë në drejtimin e degës së partisë. Dorëheqja duhet të depozitohet brenda ditës së dielë, datë 26 janar.
Por, ky propozim i Partisë Demokratike është kundërshtuar nga kryetari i Degës së Partisë Demokratike në qytetin e Vlorës, Bujar Leskaj.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Leskaj thekson se “kryetarët e sekretarët e degëve, qofshin aspirantë apo jo për deputetë të ardhshëm, duhet të kualifikohen të votëbesuar, për t’u nominuar në përzgjedhjen e kandidatëve, në ndërtimin e listës përfundimtare”.
“Në këndvështrim tim, kryetarët e degëve të Partisë Demokratike nuk kanë pse të dorëhiqen nga pozicioni, të cilën e kanë fituar e mbajtur me votën e anëtarësisë së Partisë Demokratike, si votëbesim e proces i mirëfilltë primaresh”, shkruan Leskaj.
Leskaj shton se çdo ndryshim i këtij parimi do të përbënte një shkelje të frymës demokratike që Partia Demokratike përfaqëson.
Sipas Leskajt “roli i kryetarëve të degëve ka qenë jetik në të gjitha zhvillimet që ka pasur Partia Demokratike këto vite, veçanërisht në vitet e Rithemelimit, për mbajtjen konstante të frymës së saj në bazë, duke mbajtur lidhjet jo vetëm me anëtarësinë dhe bazën e Partisë Demokratike, por për të mbarëvajtur të gjitha format e organizimit të aktivitetit politik të saj”.
“Kryesia e Partisë Demokratike nuk duhet të harrojë se kryetarët e degëve ishin nga të parët që u afruan në procesin e rithemelimit dhe qëndruan konseguentë gjatë këtyre viteve”, theson Leskaj.
Leskaj shton më tej se “kryetarët e degëve të Partisë Demokratike, së bashku me kryetarin e PDSH-së prof. dr. Sali Berisha, janë institucionet e vetme brenda Partisë Demokratike të dalë nga vota e demokratëve me parimin “një anëtar, një votë”, sikurse dhe sekretari i përgjithshëm Flamur Noka, i votuar (me votim të fshehtë e garë) nga Këshilli Kombëtar”.
Për deputetin demokrat “primaret, së pari, duhet të fillojnë nga votëbesimi ndaj drejtuesve politikë në qarqe, ose në të kundërt çdo drejtues politik, po nuk iu nënshtrua primareve, të vendoset në listën e hapur”.
“Lista përfundimtare natyrisht duhet/do të vendoset nga Kryetari i Partisë Demokratike dhe çdo kandidat duhet të pranojë paraprakisht një kod etiko-politik në respektimin pa kushte shtesë të çdo pozicioni të dalë nga ky vendim”, shkruan Leskaj.
/a.f/r.e/























