Ballina Kryesore

Ndahet nga jeta akademiku, Gëzim Qendro, Kumbaro: Le vepra shume te mira mik

TIRANE, 27 Shkurt/ATSH/- Është ndarë nga jeta para kohe mëngjesin e sotëm akademiku Gëzim Qendro, pas një sëmundje të rëndë.

Gëzim Qëndro ishte një intelektual, kritik arti dhe akademik i shquar, mungesa e të cilit do të lërë një vakum të madh për këto sfera.

Por ai la pas një trashëgimi të shquar praktike dhe kërkimore. Ai ka kontribuar në Kinostudio, Akademinë e Arteve, Universitete, dhe pas studimeve jashtë në disa shkolla prestigjioze europiane, është shquar sidomos për reformimin e Galerisë Kombëtare të Arteve, dhe si përkthyes i shkëlqyer i botimeve për artin, filozofinë dhe kritikën.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të Qendros.

“Trishtim i madh! Vendosi të largohet sot prej nesh, pas një sëmundje të rëndë dhe shume para kohe, një nga më të mirët, më profesionistët e më të mençurit e Artit dhe të Mendjes, kritiku dhe historiani i estetikës dhe artit, drejtori që bëri kthesën në Galerinë Kombëtare të Arteve, Gëzim Qendro. Le vepra shumë të mira mik! Por edhe na le një boshllëk të madh njerëzor e miqësor siç vetëm fisnikët munden. Je i pazëvendësueshëm!”, shkruan ministrja Kumbaro në një postim në rrjetin social ‘facebook’. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTirana, panoramë shumëngjyrëshe kulturore
Artikulli tjetërSi mund të konsultoni online faturën tuaj të UKT-së?