TIRANË, 23 janar /ATSH/ Zonat malore të Shkodrës janë prekur sot nga moti i keq. Ulja e temperaturave është shoqëruar edhe me reshje dëbore dhe rrëshqitje dherash dhe gurësh.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci përmes një postimi në rrjetet sociale ka informuar mbi situatën e momentit, ku sipas tij, më problematike është rruga Theth-Ndërlysaj, e cila është bllokuar për shkak të rrëshqitjes së një masivi inertesh.
“Kjo rrëshqitje ka bllokuar edhe kanalin e ujit që furnizon HEC-in në Ndërlysaj. Bashkia Shkodër po punon për zhbllokimin e këtij aksi rrugor. Në aksin Bogë-Theth rruga është e kalueshme dhe po mbahet nën vëzhgim nga firmat kontraktuese”, shprehet Beci.
/r.e/a.f/























