Ballina Flash

Kosova mbyll institucione paralele serbe në dhjetë komuna

PRISHTINË, 15 janar/ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, si dhe posta e zyra tatimore në dhjetë komuna të ndryshme.

Aksionet policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.

“Me aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në postimin e Sveçlës në rrjetet sociale.

Në videon e publikuar nga ai, shihet edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, duke thënë se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, e cilësoi këtë aksion të autoriteteve të Kosovës si një “përshkallëzim të rrezikshëm”.

“Këto lëvizje agresive nuk janë vetëm sulm ndaj institucioneve, por edhe përpjekje e hapur për t’i minuar të drejtat kolektive dhe identitetin e serbëve në Kosovë”, shkroi Gjuriq në rrjetet sociale.

Ai tha se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të heshtë, por “t’i mbrojë të drejtat e serbëve në Kosovë”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq – i cili ndodhet aktualisht në Bruksel për takimin e parë të Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturit – e quajti këtë aksion “sulm” dhe tha se “një terror i tillë vë në pikëpyetje vetë dialogun”.

“Është e qartë pse [kryenegociatori i Kosovës, Besnik] Bislimi nuk u paraqit sot në Bruksel. Me delegacionin e Beogradit erdha me qëllim që sot të trajtojmë çështjen e personave të zhdukur, ndërsa Kurti dhe Prishtina zgjodhën rrugën e dhunës dhe veprimeve të njëanshme”, shkroi Petkoviq.

Radio Evropa e Lirë raportoi më parë se Policia e Kosovës ka hyrë në Postën e Serbisë në Graçanicë dhe në Komunën paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon gjithashtu në Graçanicë. /rel/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBegaj: Denoncimi i masakrës së Reçakut ndryshoi historinë e Kosovës
Artikulli tjetërSHBA – Biden njofton ndalimin e përdorimit të teknologjisë kineze dhe ruse në automjete