Ballina Flash

Një vjetori i ndarjes nga jeta, Gonxhja: Mezini, sipërmarrës me pasion inovacionin

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përkujtoi sot sipërmrrësin Dritan Mezini, në 1-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja teksa ndau foton e Mezinit, shkroi se “sot bëhet 1 vit nga ndarja e parakohshme nga jeta e Dritan Mezinit, një sipërmarrës i shquar, mentor, dhe një njeri me pasion të pashtershëm për inovacionin, teknologjinë, sipërmarrjen dhe sportin”.

“Si themelues i DM Consulting Services dhe platformës duapune.com, Dritani kontribuoi në krijimin e mundësive për mijëra profesionistë dhe luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekosistemit të inovacionit dhe startup-eve në Shqipëri dhe rajon”, tha ministri.

Gonxhja e cilësoi sipërmarrësin Mezini, një lider i qeshur, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar dhe për të frymëzuar të tjerët, ai la pas një trashëgimi të madhe në teknologji dhe në fushën e biznesit e sipërmarrjes.

“Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në zemrat e të gjithë atyre që e njohën dhe punuan me të. Tani, mungesa jote ndihet për familjen, komunitetin, miqtë e kolegët, por puna dhe vlerat që solle në këtë jetë do të vazhdojnë të na frymëzojnë”, tha Gonxhja.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRIAD – Diplomatët diskutojnë situatën në Siri në mbledhjen ndërkombëtare
Artikulli tjetërDikur vendi më i izoluar, sot plot me turistë, BBC i kushton reportazh transformimit të Tiranës