TIRANË, 11 janar/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) po investon për diversifikimin e burimeve të energjisë, për të ulur varësinë nga reshjet për prodhimin e energjisë.
Administratori i KESH, Erald Elezi në një intervistë në medie bëri të ditur se që prej 2019 KESH ka nisur një revolucion për diversifikim të prodhimeve për të mos qenë të varur vetëm nga meterologjia, reshjet dhe shohim statistikisht një ndryshim të klimës dhe ndodhitë në Evropë.
“KESH është prodhuesi më i madh në vend me një kapacitet 1300 mega në burime hidrike. Disa termocentrale na janë bashkaur duke shtuar portofolin prodhues. Që nga 2019 KESH ka nisur një revolucion për diversifikim të prodhimeve për të mos qenë të varur vetëm nga meterologjia, rreshjet dhe shohim statistikisht një ndryshim të klimës dhe ndodhitë në Evropë”, tha ai.
Elezi theksoi se në 2022 KESH ka pasur asetin e tij të parë fotovoltaik i instaluar në digën pranë hidrocentralit të Vau të Dejës, ndërsa foli për investimin për ndërtimin e imiantit të Belshit me kapacitet 50 megavat, të cilin e cilësoi si më madhorin.
“Për tu shmangur varësisë KESH vazhdon t’u dedikojë të ardhura investimeve të tjera dhe sot jemi duke investuar në digën tjetër të Zadejës të Vau të Dejës dhe investimi madhor është një impiant prej 50 megavat orësh në Belsh”, tha ai.
Parku i Belshit, me 50 MW fuqi të instaluar, rrit kapacitetet prodhuese energjetike të Shqipërisë. Ndërtimi i tij po mbështetet nga Komisioni Europian përmes një granti, prej 9 250 000 euro, ndërsa vlera totale e investimit llogaritet 41 450 000 euro.
Prodhimi i energjisë nga panelet diellore është pjesë e rëndësishme e procesit të diversifikimit të burimeve të energjisë, bazuar në Strategjinë Kombëtare të Energjisë.
Të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT treguan se prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në tremujorin e tretë të vitit u rrit me 17.5 %, duke arritur vlerën 1.611 GWh nga 1.371 GWh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2022.
Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 76.7 %, nga hidrocentralet private dhe koncesionare në masën 21.5 % dhe nga prodhues fotovoltaik në masën 1.8 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.























