TIRANË, 10 janar/ATSH/ Programi i ”Ekipeve Sportive” është tashmë në edicionin e tretë dhe zbatohet në 291 shkolla, duke përfshirë 826 ekipe sportive në basketboll dhe volejboll, ndërsa marrin pjesë 12 mijë nxënës.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, vizitoi shkollën “Halit Bërzeshta” në Përrenjas.
“Të rinjtë ndanë planet e tyre për të fituar kampionatin kombëtar këtë vit, pasi vitin e kaluar fituan në nivel qarku dhe dolën të dytët në nivel kombëtar. Po ashtu, diskutuam për planet e bashkisë për rikonstruksionin e palestrës së shkollës”, tha Muzhaqi në një postim në rrjetet sociale.
Muzhaqi u shpreh se “qeveria shqiptare mbështet të rinjtë duke ofruar uniforma dhe pajisjet e nevojshme, si dhe trajnime tre herë në javë, me qëllim zbulimin dhe zhvillimin e talenteve në sport, por edhe për të ndihmuar të rinjtë që të shpenzojnë kohën pas orarit mësimor në mënyrë cilësore duke promovuar jetën e shëndetshme dhe sportive”.
Ky program shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe ka pasur vëmendje nga fëmijët, por edhe prindërit janë ndjerë të vlerësuar që fëmijët e tyre janë angazhuar në aktivitete sportive duke mënjanuar ata nga shfrytëzimi i kohës joproduktive pas orarit të mësimit.
Synohet që ky program të zhvillohet më tej duke shtuar edhe disiplinat sportive dhe duke e shtrirë në gjithë vendin.
/k.s/r.e/























