TIRANË, 10 janar/ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) vetëm në dy ditë ka dërguar nëntë masa “Tërheqje vëmendje” për nëntë televizione të ndryshme, pasi kanë transmetuar pamje të dhunës dhe gjuhës së papërshtatshme.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi në një postim në rrjetet sociale tha se “transmetimi i pamjeve të dhunës ekstreme në edicionet informative, siç ka rezultuar nga monitorimi i dy ditëve të fundit, është i papranueshëm”.
“Përveçse përbën shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, shfaqja e dhunës është veprim që bën dëm. Dhuna prodhon dhunë. Publiku shqiptar ka të drejtën e tij të jetë i mbrojtur nga ekspozime të tilla të panevojshme dhe profesionistët e medias nuk duhet ta harrojnë këtë”.
“Vlen kjo edhe për televizionet muzikore që, gjithashtu nga rezultati i monitorimit të këtyre dy ditëve, kanë rezultuar me shkeljen e përsëritur, atë të transmetimit të përmbajtjeve ku përdoret gjuhë e papërshtatshme në tekstet e këngëve, pamje të ushtrimit të dhunës, të ekspozimit të armëve, përdorimit të lëndëve narkotike e alkoolit, gjeste joetike nga interpretët”, theksoi Krasniqi.
Sipas saj, të gjitha këto janë transmetuar, në orare të papërshtatshme dhe për të cilat ligji flet qartë.
“Me lutjen që raste të tilla të mos përsëriten më, që profesionistët e medias të kujtojnë se interesi i publikut duhet të jetë interesi më i lartë edhe për ta, mbetemi në detyrën e respektimit rigoroz të ligjit, për një media audio dhe audiovizive profesioniste”, tha Krasniqi.
/k.s//a.f//r.e/






















