Ballina Bota

FOKUS – Ministrat e Brendshëm bullgar dhe rumun festojnë Vitin e Ri në Urën e Danubit me rastin e anëtarësimit në Schengen

RUSE-GIURGIU, 31 dhjetor /ATSH-BTA/ – Ministri i Brendshëm bullgar në detyrë, Atanas Ilkov dhe homologu i tij rumun, Katalin Predoiu do të heqin simbolikisht barrierën e fundit të mbyllur kufitare midis dy vendeve në minutën e parë të Vitit të Ri, në pikën kufitare Ura e Danubit në Ruse-Giurgiu, deklaroi sot Ministria e Brendshme bullgare.

Ngjarja do të shënojë anëtarësimin e plotë të dy vendeve në zonën Schengen me heqjen e kontrolleve në kufijtë e brendshëm tokësorë.

Aktualisht, të gjithë njerëzit dhe automjetet që kalojnë nëpër Urën e Danubit i nënshtrohen një kontrolli të plotë të detyrueshëm.

Pas hyrjes së Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen, pjesa kryesore e fluksit të njerëzve dhe automjeteve do të kalojë lirshëm përmes pikës kufitare në Ruse.

Gjatë gjashtë muajve të parë të anëtarësimit në Schengen të të dy vendeve do të zbatohet një metodë e “analizës së rrezikut” ndaj disa automjeteve, të cilat do të ndahen nga fluksi i pasagjerëve dhe do të kontrollohen në pika të caktuara dhe nuk do të ndërhyjnë në asnjë mënyrë me rrugët e tjera.

”Arsyeja kryesore e kontrollit është parandalimi i transportit të migrantëve të paligjshëm”, tha Dimitar Çorbaxhiev, shef i Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare të Ruses.

Deri më tani, makinat që udhëtojnë nga Bullgaria në Rumani paguajnë tarifën e urës në pikën kufitare në Ruse, më pas kalojnë urën dhe kontrollohen në pikën kufitare në Giurgiu nga një ekip i përbashkët rojesh kufitare bullgaro-rumune.

Kamionët që lëvizin drejt Rumanisë, pasi janë peshuar dhe kanë paguar tarifën e urës nga ana bullgare, kalojnë nëpër objektin e urës dhe i nënshtrohen një kontrolli të përbashkët kufitar në territorin rumun, si në dokumente ashtu edhe në ngarkesën e transportuar.

Në drejtim të kundërt, drejt Bullgarisë, mjetet e rënda të mallrave nuk i nënshtrohen kontrollit fizik të ngarkesës.

Pasi Bullgaria dhe Rumania të bashkohen me zonën Schengen, makinat që udhëtojnë për në Rumani do të paguajnë tarifën e urës në anën bullgare, më pas do të kalojnë urën dhe në anën rumune vetëm një pjesë e vogël e tyre do t’i nënshtrohen kontrolleve kufitare sipas “analizës së rrezikut”.

Kështu do të jetë edhe në drejtimin tjetër. Kjo vlen edhe për automjetet e rënda të mallrave.

Gjatë 24 orëve të fundit, 930 kamionë kanë kaluar në të dy drejtimet.

Prej tyre, 412 kanë hyrë dhe 518 kanë dalë nga Bullgaria.

Trafiku pritet të jetë i lehtë ditën e martë./  a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalla: Urimet më të mira të gjithë shqiptarëve në Shqipëri, trojet etnike dhe në diasporë për Vitin e Ri 2025
Artikulli tjetërLista Serbe pjesë e garës zgjedhore, KQZ merr vendim pa votim