TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/- Kreu i PD-së, Sali Berisha reagoi sot lidhur me mbajtjen në 2027-ën të Samitit të NATO-së në Tiranë.
Gjatë një konference për mediet, Berisha deklaroi se “projeksionet janë jo vetëm të miat, por të mbarë Aleancës, që në vitin 2027, samitin e organizon ai që anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe jo ai që bëri protesta kundër NATO-s. Shumë evidente kjo”.
Gjithashtu, Berisha foli edhe për hetimet e SPAK-ut ndaj tij.
“SPAK ka bërë dhe bën çdo përpjekje për të zbatuar urdhërin e Edi Ramës, por unë jam këtu për të qëndruar kundër narkodiktaturës me gjithë potencialin tim”, u shpreh ai.
Ai reagoi ndaj deklaratës së kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili tha të shtunën se ka shkuar në Amerikë si kryetar i bashkisë së Tiranës dhe se do të kthehet për dy ditë”.
“Nuk më ka pëlqyer fare skema që ka përdorur. Ik, mbathja i thonë, kurse Ilir Metën e merr dhe e zvarrit në mes të rrugës pa asnjë akuzë konkrete. Tani ka deklaruar se për dy ditë jam në Tiranë. Ndaj dhe thirrja ime është për organet ligjzbatuese të SHBA, të marrin çdo masë për rikthimin e tij në Shqipëri nëse ai tenton të devijojë fluturimin apo të zgjasë kohën e qëndrimit”, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur te rritja e pensioneve, Berisha tha në konferencën me gazetarët se “pensionistët e kanë pëlqyer shumë premtimin tonë për 200 euro minimumin jetik për çdo shqiptar dhe llogaritjen e pensioneve mbi këtë bazë”. “Në qoftë se qeverisja e mëparshme, dyfishoi pensionet, mbi dyfishoi pensionin minimal, dyfishoi pensionin mesatar dhe rriti me 60-70% pensionin e lartë, shko pyet sot pensionistët se ku janë sot pensionet”, u shpreh Berisha duke shtuar se Rama nuk thotë asnjë të vërtetë lidhur me pensionet, as me sistemin.
/a.g/






















