Ballina Bota

BERLIN – Gjermania autorizon projekte me vlerë 60 milionë euro në ndihmë të Sirisë

BERLIN, 30 dhjetor /ATSH-DPA/- Gjermania autorizoi disa projekte të ndihmës me vlerë 60 milionë euro në Siri – pas rënies së sundimtarit Bashar al-Assad, sipas një njoftimi të ministres së Zhvillimit, Svenja Schulze.

“Situata humanitare e banorëve në Siri është katastrofike,” tha sot Schulze për grupin mediatik RND.

“Gati 14 vjet luftë civile e ka lënë pjesën më të madhe të vendit në gërmadha – ku 90% e popullsisë jeton në varfëri dhe e varur nga ndihma ndërkombëtare”, shtoi ajo.

Ndërsa e ardhmja e Sirisë mbetet e pasigurt, Schulze shprehu optimizëm të kujdesshëm, duke vënë në dukje se ekziston potencial për ndryshime pozitive.

Ajo theksoi nevojën për të ofruar mbështetje për të ndihmuar në realizimin e këtij ndryshimi.

Schulze shpjegoi se projektet e planifikuara të ndihmës do të kryheshin vetëm përmes agjencive të OKB-së dhe organizatave joqeveritare.

Sipas Ministrisë së Zhvillimit në Gjermani, 25 milionë euro do të shkojnë për Fondin e OKB-së për Fëmijët (UNICEF), i cili do të fokusohet në rehabilitimin e shkollave dhe ofrimin e mbështetjes psikosociale për fëmijët e traumatizuar.

Për më tepër, 19 milionë euro do të ndahen për Programin e OKB-së për Zhvillim (UNDP), i cili ofron mundësi pune afatshkurtra për personat e zhvendosur brenda vendit, si pastrimi i rrënojave dhe mbeturinave.

Financimi vjen nga buxheti i Gjermanisë për vitin 2024, i cili ndan një total prej 132 milionë eurosh për projektet që lidhen me Sirinë. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDenaj: Cilësi dhe standarde në prodhimin dhe ambalazhimin e ullinjve
Artikulli tjetërProkuroria e Tiranës kërkon konfiskimin e mbi 2.5 milionë eurove pasuri nga veprimtari kriminale