Ballina Aktualitet

Llatja marrëveshje me Komunën e Preshevës, aplikim i përbashkët në projektet e BE-së

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Komunën e Preshevës, ku është pritur nga Kryetarja e Komunës, Ardita Sinani dhe ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj.

Vizita kulmoi me firmosjen e një memorandumi bashkëpunimi që synon forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy qyteteve dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët e të dyja vendeve.

Memorandumi përfshin shkëmbimin e eksperiencave mes administratave, bashkëpunimin në trashëgiminë kulturore dhe historike, përmirësimin e cilësisë së arsimit, si dhe ofrimin e bursave dhe qëndrimit në Elbasan për nxënësit e Preshevës që dëshirojnë të studiojnë në Universitetin e Elbasanit.

Gjithashtu, në marrëveshje parashikohet aplikimi i përbashkët për fonde të Bashkimit Europian për projekte infrastrukturore dhe sociale.

“Ky memorandum hap rrugën për aplikime të përbashkëta në projektet e Bashkimit Europian, të cilat do të na ndihmojnë të përmirësojmë cilësinë e jetesës për qytetarët tanë. Fokusi ynë është në infrastrukturën, arsimin dhe zhvillimin social, duke synuar që të dy qytetet tona të përfitojnë nga thirrjet dhe grantet europiane”, tha Llatja.

Llatja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe artit, duke shtuar se Bashkia e Elbasanit dhe Qendra e Artit do të organizojnë koncerte dhe festivale në Preshevë për të forcuar lidhjet kulturore dhe ndërveprimin midis qytetarëve./e.r/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBritania e Madhe i kërkon KQZ të respektojë procedurat ligjore në lidhje me Listën Serbe
Artikulli tjetërSuperkupa e Shqipërisë, Egnatia dhe Kukësi luftojnë për trofeun e parë të sezonit 2024-2025