TIRANË, 19 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali përjashtoi sot nga punimet e seancës plenare deputetin e opozitës, Agron Shehaj, pasi bllokoi foltoren e Kuvendit.
Pasi i tërhoqi disa herë vërejtje për të zhbllokuar foltoren, Spiropali përjashtoi nga seanca me masë disiplinore deputetin Shehaj, ndërkohë që kërkoi 5 minuta pushim derisa të zhbllokohet foltorja.
“Nuk mund ta merrni fjalën me dhunë. Ju tërheq vëmendjen, madje dhe ju jap vërejtje nëse e përsërisni. Mos krijoni skena të kota pa lidhje artificiale që nuk kanë lidhje me këtë Kuvend. Do t’ju heq të drejtën e fjalës. Ju që si parti e re doni t’i nxirrni jashtë loje të vjetrit por bëjeni me fjalë jo me bllokim foltoreje. Se po të jetë për bllokim foltoreje dhe revolucion j’ua kalojnë ata. Nuk e merrni dot ju fjalën për procedurën me dhunë në foltore dhe nuk ju shkon kjo. Nëse doni të jeni kopje të këqija të disa të tjerëve, janë më mirë origjinalët, më mirë dëgjojmë origjinalët”, u shpreh Spiropali.
Ndërsa deputeti Shehaj refuzoi të lërë foltoren pa marrë fjalën për procedurë, Spiropali e përjashtoi nga seanca në bazë të nenit 65.
“Masë disiplinore, ju paralajmërova disa herë në bazë të gjithë neneve të rregullores. Refuzuat të largoheni nga foltorja. Jeni i përjashtuar nga seanca në bazë të nenit 65. Çlironi foltoren. Të merren masa të çlirohet foltorja nga Shehaj”, tha Spiropali, ndërsa kërkoi ndërprerjen e seancës deri në lirimin e foltores së Kuvendit.
Edhe pas rifillimit të seancës, deputeti Shehaj vijoi të qëndrojë në foltore, ndërsa vijuan debatet me kryeparlamentaren Spiropali. /j.p/























