TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Prej 1 janarit 2025, bashkia e Tiranës do të bëjë subvencionimin 100% të biletës së abonesë për pensionistët, siç bën prej vitesh për studentët.
Të gjithë personat mbi 60 vjeç, gratë dhe burrat mbi 65 vjeç, banues në bashkinë e Tiranës, do të udhëtojnë falas, njësoj si studentët e regjistruar në institucionet arsimore të larta publike.
Kryebashkiaku Erion Veliaj u bëri thirrje të gjithë pensionistëve që të paraqiten në njësitë e tyre administrative me një kartë identiteti, për t’u regjistruar në mënyrë që të mund të marrin falas abonenë e përgjithshme.
“Me këtë buxhet ne bëjmë subvencionimin 100% të abonesë së përgjithshme për pensionistët. Nuk mund të japim një shifër të saktë, sepse nuk e dimë sa pensionistë do ta përdorin shërbimin, pasi do të jetë në varësi të frekuencës së marrjes së shërbimit. Ne do të bëjmë një raportim çdo muaj, pra sa pensionistë e kanë marrë si shërbim për të parë edhe shifrën e saktë të subvencionit. Ndërkohë, siç e dini, bashkia e Tiranës tashmë e subvencionon transportin publik edhe për pjesën tjetër të qytetarëve; pra, bileta me analizën financiare është 50 lekë, por 10 lekë i paguan bashkia e Tiranës, pikërisht për të mos u shtuar barrën qytetarëve”, u shpreh Veliaj gjatë mbledhjes së sotme të këshillit bashkiak.
/r.e/






















