Ballina Flash

Eliminatoret e Botërorit 2026, Silvinjo: Është grup i fortë, por i bukur. Të luftojmë deri në fund

2159156781

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka folur për fshf.org pas shortit të hedhur në Zvicër për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026, ku Shqipëria u pozicionua në Grupin K, së bashku me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.

Tekniku kuqezi u shpreh për fshf.org se niveli i vështirësisë është i lartë, por theksoi se synimi kryesor është që skuadra të luftojë deri në fund për të bërë më të mirën.

“Fillimisht, e kam thënë më shumë se një herë, ambiente të tilla janë diçka e bukur. Nga vazoja e tretë ishte e parashikuar, dy skuadra shumë të forta, më pas ne në vazon e tretë dhe dy ekipe nga vazoja e katërt dhe e pestë. Është një grup i fortë dhe i vështirë. Sot futbolli nuk është i lehtë. Të gjitha skuadrat e njohin mirë njëra-tjetrën. Me teknologjinë, mund të shikosh gjithçka. Është një grup për t’u luajtur, për t’u luftuar dhe për të shkuar deri në fund, sepse është i bukur. Të ëndërrosh se mund të shkosh në Botëror të jep shumë energji.

Gjithçka është shumë e shpejtë, nuk ka shumë kohë. Sa më pak të gabosh, aq më shumë shanse ke për të ecur përpara. Nga sot fillojmë nga zero. Të gjitha skuadrat mendojnë të shkojnë përpara, kjo është një ëndërr për shumë ekipe. Ne ëndërrojmë, por duhet të gabojmë sa më pak nëse duam të ecim përpara.

Mendimi i parë është ky, nëse gabon pak, ka mundësi të ecësh përpara, të arrish atje dhe pastaj, në tetor-nëntor, të kesh një mundësi për të shkuar në Botëror. Është një grup i vështirë, si shumë të tjerë, por duhet të luftojmë dhe të gabojmë sa më pak të jetë e mundur”, tha trajneri Silvinjo në prononcimin e tij për fshf.org.

Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në Amerikën e Veriut. 11 stadiume pritëse do të jenë në SHBA, 3 në Meksikë dhe 2 në Kanada. Për herë të parë Kupa e Botës do të jetë në formatin e zgjeruar, me 48 skuadra në fazën finale, aty ku rriten shanset e Shqipërisë për një vend në grupe.

Gjithsej do të jenë 104 ndeshje, me finalen që do të luhet në Nju-Jork, në stadiumin e Nju-Xhersit.

Turneu do të fillojë më 11 qershor 2026 dhe do të mbyllet më 19 korrik 2026 me finalen e madhe.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJENEVË – UNHCR: Sirianët në mërgim nuk po kthehen ende sa duhet në vendin e tyre
Artikulli tjetërHasani: Karta e Adriatikut (A-5), lojtar kyç në avancimin e aspiratave euroatlantike të rajonit