Ballina Flash

Prokurorja e Specializuar Kimberly West viziton Kosovën

PRISHTINE, 12 dhjetor/ATSH/ Prokurorja e Specializuar Kimberly West po viziton Kosovën për një numër takimesh.

Lajmi është bërë i ditur sot në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dhënë detaje për takimet e ish-prokurores federale amerikane me përvojë të gjerë në hetimet penale vendase dhe ndërkombëtare, e cila në qershor 2023 u zgjodh prokurore speciale pas një procesi të organizuar nga BE.

Vizita e West në Kosovë vjen pasi gjykata në Hagë më 6 dhjetor konfirmoi  aktakuzën e re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Komunës së Malishevës Isni Kilaj dhe Fadil Fazliut, për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Wst midis viteve 2008 dhe 2013 shërbeu si prokurore në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku ishte anëtare e ekipit që ndoqi penalisht kriminelin Radovan Karaxhiq për rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës.
Ajo ishte gjithashtu shefe e Byrosë Kriminale në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Massachusetts – SHBA, midis viteve 2015-2019.

Kimberly West është prokurorja e tretë e specializuar, duke pasuar Jack Smith, i cili u largua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në nëntor 2022 dhe David Schwendiman, i cili shërbeu midis viteve 2016-2018. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNis në “Shtëpinë e Evropës” Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë
Artikulli tjetërParashikimi i motit, e premte, 13 dhjetor 2024