TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mblodhi pasditen e sotme grupet e punës së Tiranës me të cilët bisedoi për zgjedhjet e ardhshme duke u kërkuar të trokasin në dyert e qytetarëve.
Sulmi elektoral, sipas tij, do të ndalet vetëm me fitoren e PD më 11 maj, datën kur do të mbahen zgjedhjet. Berisha u shpreh se boshti qendror i kësaj fushate duhet të jetë ekonomia.
“Ka një mekanizëm, një faktor i provuar në të gjithëra kohëra si faktor suksesi dhe ky është takimi me njerëzit. Kanë rëndësi të gjitha të tjerat, kanë rëndësi ekranet, debatet, mediat sociale”, tha Berisha duke marrë shembull zgjedhjet amerikane që sipas tij, u fituan me takime intensive me qytetarët amerikanë.
Sipas Berishës, në zgjedhjet e fundit, ndërsa Kamala Harris kishte mediet me vete, risi ishte mësimi i madh se si u shemb gjiganti mediatik.
Duke u ndalur tek synimi që boshti i fushatës të jetë ekonomia, Berisha tha se kjo do të jetë pasi “jemi në një realitet që tejkalon absolutisht pothuajse çdo lloj imagjinate”.
“Jemi në një realitet shumë të dhimbshëm. Jemi në një realitet shkatërrimtar për njerëzit. Këto ditë po lexoja një gjë shumë trishtuese. Në vitin 2013, ne paguheshim, shqiptarët paguheshin jo vetëm më shumë se vendet e Ballkanit Perëndimor, por dhe se rumunët dhe bullgarët”, tha Berisha.
“Ne i kemi pensionet sot, minimumi 30 për qind më të ulëta se në vitin 2013. Sot po lexoja, të dhënat e INSTAT tregojnë se inflacioni për gjërat bazë është gjer në 9 herë më i lartë se inflacioni mesatar. Pra, inflacioni i mishit, djathit, qumështit, etj, krahasuar me vitin 2022, arrin shifra gjer 9 herë më shumë”, tha Berisha.
Berisha foli për paketën e emergjencës, duke thënë se do t’ia paraqesin çdo qytetari.
“Vendosim si fillim minimumin jetik 200 euro. Vendosim si fillim rrogën minimale 500 euro. Rrogën mesatare 1200 euro. Pensionet do llogariten mbi 200 eurot”, u shpreh ai. “Imagjinoni ju sa e padrejtë është kjo shoqëri. Ia shet pensionistit me 150 euro ose 180 euro energjinë elektrike me të njëjtin çmim që e blejmë ne. Nuk mund të ndodhë kështu. Çdo shtet që ka një dimension njerëzor, atij ose ia jep falas, ose ia jep me një çmim qartësisht në proporcionin më të ulët se ai që ka rrogën”, tha Berisha.






















