SUDAN, 10 dhjetor /ATSH-AFP/- Të paktën 176 persona u vranë gjatë dy ditëve të sulmeve ushtarake dhe paraushtarake në të gjithë Sudanin, sipas një raporti të siguruar nga zyrtarë, aktivistë dhe avokatë.
“Në Omdurman, pjesë e kryeqytetit sudanez, bombardimet paraushtarake vranë të paktën 65 persona dhe plagosën qindra të tjerë sot”, sipas guvernatorit të shtetit të lidhur me ushtrinë.
Një predhë e vetme në një autobus pasagjerësh vrau të gjithë pasagjerët”, tha guvernatori i Khartoum, Ahmed Othman Hamza.
Ai ia atribuoi sulmin “milicisë terroriste”, e lidhur me Forcat e Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake, në luftë me ushtrinë që nga prilli 2023.
“Sulmi vjen një ditë pasi një sulm ajror i ushtrisë në një treg në qytetin Kabkabiya të Darfurit të Veriut vrau mbi 100 njerëz”, njoftuan sot avokatët e urgjencës pro-demokracisë.
Avokatët gjithashtu raportuan se gjashtë persona ishin vrarë në shtetin Kordofan të Veriut kur një dron që ishte rrëzuar më 26 nëntor shpërtheu.
“Në kampin e zhvendosjes Zamzam të goditur nga uria në Darfurin e Veriut, bombardimet paraushtarake vranë sot pesë persona”, sipas grupit të shoqërisë civile Koordinimi i Përgjithshëm i Kampeve të Darfurit për të Zhvendosurit dhe Refugjatët.
Një raport i mbështetur nga OKB-ja në korrik, tha se uria kishte goditur kampin pas një rrethimi prej disa muajsh të RSF-së të kryeqytetit shtetëror El-Fasher dhe zonës përreth. //a.i/






















