Ballina Flash

Mandati i Xhaçkës, Spiropali: Qëndrimi ynë kushtetues, lidhet me sovranitetin e paprekshëm të Kuvendit

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, reagoi sot pas publikimit të opinionit të Komisionit të Venecias.

“Besoj tani është e qartë për të gjithë se qëndrimi ynë lidhur me procesin e trajtimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka nuk ishte një qëndrim as politik, as partiak, por një qëndrim kushtetues që lidhet me sovranitetin e paprekshëm të Kuvendit!”, u shpreh Spiropali në reagim.

“Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe kjo nga ne është lexuar, jo thjesht si ndërhyrje në pavarësinë e Kuvendit, por në radhë të parë si një vendim i pazbatueshëm për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon deputetit se si të votojë!”, theksoi Spiropali

“Sot morën përgjigje edhe të gjitha akuzat, shpifjet dhe propaganda me të pavërteta kundër këtij qëndrimi, por si Kryetare Kuvendi ndjehem e lehtësuar dhe për këtë falënderoj Komisionin e Venecias që e shqyrtoi me shpejtësi dhe seriozitet maksimal kërkesën time”, u shpreh Spiropali.

Spiropali shprehu bindjen se, ky opinion i drejtë do t’u shërbejë të gjitha palëve dhe institucioneve për reflektim në zgjidhjen drejt të çështjeve në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit në të ardhmen.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOpinioni i Komisionit të Venecias, Bardhi: Spiropali të zbatojë dy vendimet e Kushtetueses
Artikulli tjetërIsh-ambasadorja Kim uron Dumanin, SHBA: Mbështetje Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar