Ballina Aktualitet

8 Dhjetori, PL: Mirënjohje ndaj lidershipit historik të Azem Hajdarit

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, së bashku me Sekretarin për Rininë, Lazerin Gjeçaj dhe drejtues të LRI-së, me rastin e 8 Dhjetorit, mbajtën homazhe në Qytetin Studenti tek busti i Azem Hajdarit.

Në fjalën e tij Blushi u shpreh se, “sot është dita për t’u përulur me mirënjohje ndaj lidershipit historik dhe frymëzues të Azem Hajdarit, ndaj brezit të të rinjve dhe të rejave që 34 vite më parë i prinë Lëvizjes Studentore që çoi në përmbysjen e regjimit diktatorial”.

“Është dita sot për të  vlerësuar studentët e Dhjetorit ’90”, një prej të cilëve ka qenë edhe presidenti i Partisë së Lirisë, z. Ilir Meta, i cili sot ndodhet në një masë ekstreme izolimi”, theksoi Blushi.

Nga Qyteti Studenti, Blushi i ftoi të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, “në veçanti ata të rinj që lindën në Demokraci, por që sot janë në Diktaturë, që t’i prijnë një misioni dhe angazhimi historik për të marrë në dorë fatet e tyre, fatet e Shqipërisë në mbrojtje të lirisë dhe të demokracisë, që sot janë të rrezikuara më shumë se kurrë nga një pakicë uzurpatore që ka shpopulluar vendin me mbi 1 milion shqiptarë, shumica e të cilëve janë të rinj dhe të reja”.

“Ndaj kësaj diktature, armike më të egër të rinisë, nevojitet një aksion i fuqishëm rinor për t’i shkurtuar ditët këtij regjimi”, u shpreh Blushi.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi sot 8 Dhjetorin, Ditën Kombëtare të Rinisë.

Meta publikoi një video në rrjetet sociale, teksa shpreh “mirënjohje të veçantë ndaj Lidershipit Heroik të Azem Hajdarit, të gjithë djemve dhe vajzave, që 34 vite më parë, duke vrarë frikën i prinë me guxim, kurajë e patriotizëm Lëvizjes Studentore që e futi Shqipërinë në rrugën e Lirisë dhe të Demokracisë”.

“Unë besoj shumë në shpirtin energjik të të rinjve të Shqipërisë për të marrë në dorë fatet e tyre dhe të mbarë vendit, sot më shumë se kurrë, kur pluralizmi politik, liria dhe demokracia janë nën agresionin e një regjimi të dhunshëm”, thekson Meta në një postim në rrjetet sociale.

Meta nënvizon se, “kjo është rruga për të ndaluar shpopullimin dhe garantuar një Shqipëri që u përket të rinjve”.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndodhet në burg, pasi u arrestua më 21 tetor, nën dyshimet për disa vepra penale, “korrupsion” në 3 raste, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFSHF mirëpret turneun me ambasadat, Duka: Futbolli, mesazh i fortë miqësie dhe edukimi për shoqërinë
Artikulli tjetërKINEMA – “Emilia Pérez” shpallet filmi më i mirë evropian në 2024