TIRANË, 8 korrik/ATSH/- Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe Check-up në Shëndetësisë, është mbledhur të hënën për të vijuar marrjen e dëshmive sipas kalendarit të miratuar nga anëtarët e komisionit.
Sipas planit të punës, sot radhën për të dëshmuar e kanë dy përfaqësues të nismës “Thurje”, Endrit Shabani dhe Panajot Soko. Thirrja e tyre vjen pas kallëzimit të depozituar nga kjo nisëm në vitin 2019 mbi koncesionin e “sterlizimimit”.
Endrit Shabani tha se kallëzimi i nismës “Thurje” në vitin 2019 ka sjell rezultate pozitive. Sipas tij, koncesioni i sterilizimit kishte disa paqartësi për të cilat u kërkua hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
“Në dhjetor të vitit 2019, nisma “Thurje”, asokohe si një grupim i shoqërisë civile ju drejtua SPAK për të hetuar kontratën koncesionare të sterilizimit. Në atë periudhë diskutohej edhe pandemia COVID 19, që po përhapej dhe debati publik ishte fokusuar mbi aftësinë e sistemit shëndetësor për t’u përballur me këtë pandemi”, tha Shabani.
“Ne kishim bindjen që kishte një abuzim me fondet publike për sa i takon koncesionit të sterilizimit dhe donim që SPAK të ndërhynte në ndalimin e këtij shpërdorimi fondesh dhe këto fonde të lëvroheshin për të përballuar pandeminë COVID 19”, u shpreh Shabani.
Ai tha se nisma “Thurje” vlerësonte se skema e ndjekur për tenderimin ishte në shkelje. ”
Ju dha një privat tenderi pa tenderim publik për 10 vite. Argumenti ishte që privati ishte më eficent. Një nga argumentet tona ishte se sektori publik ishte më efikas se ai privat. Ne vërejtëm si disa nga ekspertët që ofronin koncesionin, u merrnin me rroba, disa të tjerë kishin kapital vetëm 1 000 euro. Prandaj ne kishim rezervat tona se këto ekspertë dhe koncesionar do të ishin efektivë. Ne besojmë se kemi dhënë kontributin tonë për të ndaluar këtë abuzim dhe SPAK na dha të drejtë me rezultatin e hetimit”, u shpreh Shabani.
Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, i’u drejtua Shabanit duke e pyetur mbi njohuritë që ai ka mbi prokurimet publike, për mënyrën si funksionojnë nga ana juridike. Shabani tha se shqetësimi ishte politikë. “Mandati i një qeverie është katër vite, ndërsa vendimmarrja në këtë rast është për dhjetë vite dhe për ne kjo ishte një shkelje”, u shpreh Shabani.
…Vijon























