TIRANË, 28 mars/ATSH/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmon në detyrë Aurel Celibashin, i cili mbulon pozicionin e ndihmësit ligjor në Gjykatën Administrative të shkallës së Parë në Tiranës.
Sipas njoftimit për mediat, trupi gjykues i kryesuar nga Olsi Komici, Valbona Sanxhaktari relatore, Firdes Shuli anëtare shpalli sot vendimin për konfirmimin në detyrë të Celibashit. Ai u vlerësua pozitivisht në të 3 kriteret e vetingut, në atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe për profesionalizmin. Po ashtu, u konstatua se edhe analiza financiare e përgjithshme paraprake kishte rezultuar me bilanc pozitiv.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 26.3.2024, për subjektin e rivlerësimit, Aurel Celibashi, bazuar në ligjin nr. 84/2016, vendosi: Konfirmim në detyrë të subjektit të rivlerësimit Aurel Celibashi, ndihmës ligjor në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë”, bën të ditur KPK.
“Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga Olsi Komici, Valbona Sanxhaktari relatore, Firdes Shuli anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit.













