Ballina Flash

Taskforca ndërinstitucionale, MAS: Kontrolle në të gjithë vendin për standardet e kopshteve

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit, njofton se taskforca ndërinstitucionale e ngritur nga ky institucion, ka nisur kontrollet në të gjithë territorin për verifikimin e ligjshmërisë së shërbimeve parashkollore.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, pjesë e taskforcës së ngritur janë Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parashkollor, Zyrat Vendore të Arsimit Parashkollor, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parashkollor, Policia e Shtetit, Drejtoritë Rajonale të Tatimeve, Inspektorati Qendror, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Inspektorati i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Bashkitë dhe Njësitë Administrative.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, “kanë nisur kontrollet në të gjithë territorin, për të verifikuar standardet dhe ligjshmërinë e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në shërbimet parashkollore për fëmijë, për të siguruar që institucionet arsimore parashkollore, të ofrojnë një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur për fëmijët, në zbatim të legjislacionit në fuqi”.

“Inspektimet nga grupet e punës Taskforcë, janë zhvilluar në terren në të gjithë vendin, për evidentimin dhe verifikimin e ligjshmërisë në lidhje me përputhshmërinë e veprimtarisë me përcaktimet e kuadrit ligjor, të subjekteve private që ushtrojnë veprimtari të arsimit parashkollor”, përfundon njoftimi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVidhnin energji elektrike, procedohen në polici 11 subjekte private
Artikulli tjetërKOPENHAGE – Danimarka vendos taksën e pasagjerëve për fluturimet