Ballina Aktualitet

Procesi i Berlinit, Bregu: Lajm i mirë për infermierët, mamitë, farmacistët dhe veterinerët

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Në kuadër të Procesit të Berlinit, samit i cili po mbahet në Tiranë, sot u firmos marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, veterinerëve, farmacistëve dhe mamive në kontekstin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore, (CEFTA).

Edhe kjo marrëveshje u përgatit nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).

Sekretarja e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, tha se qytetarët e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilët kanë një kualifikim të tillë, tani mund të nisin procedurat e aplikimit për të punuar në cilindo prej vendeve të rajonit nëse kanë një mundësi të tillë.

“Një tjetër ditë shumë e suksesshme në Tiranë, ku përmes katër profesioneve të reja, e kemi shtuar në shtatë numrin e kualifikimeve profesionale të cilat do të njihen gjithandej Ballkanit Perëndimor. Tani, natyrisht, procedurat do të nisin që këto kualifikime të njihen edhe nga BE dhe jo vetëm mes shteteve të Ballkanit. Natyrisht, e gjithë kjo punë ndihmon në afrimin e rajonit tonë me Bashkimin Evropian”, tha Bregu.

Më tej, ajo shtoi se është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të ratifikojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit. Me këtë rast, ajo veçoi Malin e Zi dhe Bosnjën, si dy vendet e vetme të cilat nuk kanë ratifikuar akoma marrëveshjet e arritura më parë.

Ndërkaq, në kuadër të këtij aktiviteti, Bregu tha se është e rëndësishme që Shqipëria po e bën traditë organizimin e samiteve të nivelit të lartë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVon der Leyen: Trefishojmë ndihmën humanitare për civilët në Gaza në 75 milionë euro
Artikulli tjetërTë paktën 30 miliardë dollarë dëme nga krimi i kriptomonedhave në 2017-2022