Ballina Aktualitet

Von der Leyen: Trefishojmë ndihmën humanitare për civilët në Gaza në 75 milionë euro

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Presidentja a Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi sot se, Komisioni Evropian do të trefishojë ndihmën humanitare për civilët në Gaza në 75 milionë euro.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet sot në Tiranë, Von der Leyen tha se, “ne jemi këtu në Tiranë, duke punuar për afrimin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Por, në të njëjtën kohë, sytë e botës janë tani në Izrael dhe Palestinë, dhe mendjet tona gjithashtu. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për aktet e tmerrshme të terrorit të Hamasit. Për masakrën brutale të 1400 njerëzve në Izrael”.

“Përballë këtij tmerri, Izraeli ka të drejtë të mbrohet, në përputhje me të drejtën humanitare dhe ndërkombëtare. Tani për tani, palestinezët në Gaza kanë nevojë për ndihmë dhe ndihma humanitare. Ata nuk mund të paguajnë çmimin e barbarisë së Hamasit”, theksoi ajo.

Kjo, u shpreh Von der Leyen, “është arsyeja pse Komisioni ka njoftuar se do të trefishojë ndihmën humanitare për civilët në Gaza në 75 milionë euro. Ne po nisim një urë ajrore humanitare të BE-së për në Gaza, përmes Egjiptit. Dy fluturimet e para do të nisen këtë javë. Ata do të sjellin mallra humanitare në Gaza. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë në rajon për të vlerësuar dhe adresuar nevojat në terren”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMacron mbërrin në Tiranë për vizitë zyrtare dyditore
Artikulli tjetërProcesi i Berlinit, Bregu: Lajm i mirë për infermierët, mamitë, farmacistët dhe veterinerët