Ballina Aktualitet

Balla: Zero tolerancë për këdo që kundërshton me forcë Policinë

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Ministri i Brendhshëm, Taulant Balla përgëzoi sot Policinë e Shtetit për arrestimin e autorit të plagosjes së efektivit të shqiponjave mbrëmjen e djeshme në Tiranë.

“Është momenti të kujtoj se kush nuk i bindet urdhërit apo thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë zero”, tha Balla.

Ministri siguroi se do të bëjë gjithçka që një politikë apo praktikë e re penale të zërë vend në këtë drejtim, duke kërkuar mbështetjen e sistemit të drejtësisë.

“Kuadri ligjor është aty në Kodin Penal, me ndryshimet që kam mbështetur vetë në Kuvend në vitin 2019, dhe në ligjin për Policinë Shtetit”, tha ai.

Më herët sot, Policia vuri në pranga autorin e plagosjes me armë zjarri të punonjësit të Policisë mbrëmjen e djeshme.

Gjatë kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Klered Bozhanaj, strukturat e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar autorin e dyshuar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë, e përdorur gjatë krimit./m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Ishim përgatitur për çdo skenar në Këshillin e Sigurimit, edhe për abuzimin me Kosovën
Artikulli tjetërKuvendi miraton ligjin “Për fondet e pensionit privat”