TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së theksoi se “për të ndërtuar të ardhmen para së gjithash ne duhet të rindërtojmë partinë tonë, duke mbyllur një cikël të stërzgjatur intrigash, përplasjesh, bërrylash dhe keqkuptimesh”.
“Që kjo të ndodhë, unë dhe forumet drejtuese duhet të bëjmë gjithçka që të tejkalohet kriza, përçarja dhe konfuzioni që ka përfshirë anëtarësinë, si dhe një pjesë të konsiderueshme të elitës politike opozitare. Kjo ka bërë që shumë individualitete dhe kapacitete politike, që janë pasuri e PD, që janë pasuri e shoqërisë, të mos jenë sot aktivë.
Por ne do të jemi të hapur, do të jemi ftues, do të jemi përfshirës për ata që i bashkohen betejës tonë politike, për ata që mbartin ide, për ata që e pasurojnë aksionin politik opozitar, dhe për ata që e zgjerojnë përfaqësimin tonë politik”, theksoi Basha.
Sot, vijoi Basha, formatojmë forumet statutore të partisë.
“Secili që bëhet pjesë e forumeve të përtërira të partisë duhet ta shohë këtë si një mundësi dhe njëherësh si një sprovë të angazhimit, si test të vizionit se si duhet që ta drejtojmë aksionin politik të PD. Forumet mbeten funksione të ngurta po nuk përthithën ide, vlera, aksion dhe përfaqësim. Pas Kuvendit Kombëtar të javës së shkuar, hedhim sot një tjetër hap të rëndësishëm për Partinë Demokratike, formatimi i forumeve statutore të partisë. Ky hap i jep hov të ri aksionit tonë politik, që për shumë gjatë u largua nga detyra jonë parësore, ajo e të qenurit në shërbim të demokratëve, të qytetarëve, të Shqipërisë”, tha Basha.
Basha u shpreh se “ndërtimi i ekipeve drejtuese është një proces i hapur dhe i vazhdueshëm, që nuk ngjizet vetëm përmes zbatimit të funksioneve që secili prej nesh kryen, por përmes frymës së skuadrës që mbizotëron mes nesh, ku harmonizohen ambiciet legjitime të gjithsecilit, por me vetëdijen se asgjë e përveçme nuk arrihet, pa çuar përpara vizionin e përbashkët dhe misionin e madh me të cilën na kanë ngarkuar demokratët”.
Ne, shtoi Basha, do t’u shtrijmë dorën profesionistëve, intelektualëve, sipërmarrësve, pedagogëve, të rinjve e të rejave, nga të gjitha shtresat shoqërore dhe nga diaspora, për të dhënë bashkë me ne kontributin e tyre për të normalizuar politikën, për ta bërë atë sa më përfshirëse dhe njerëzore, duke ndërtuar një urë shprese dhe besimi nga e sotmja drejt të nesërmes.
Basha theksoi se prioritet i PD-së është mirëqenia e familjeve shqiptare.
‘Për shkak të rraskapitjes në beteja të brendshme, nuk u kushtuam vëmendje të mjaftueshme qytetarëve. Për fëmijët e shqiptarëve dhe mirë-arsimimin e tyre. Për nxjerrjen nga kolapsi të shëndetësisë. Për të krijuar kushtet që qytetarët të kenë punësim, paga më të mira, dhe kostot e jetesës të përballueshme. Që familjet shqiptare të kenë një jetë të dinjitetshme, e të rinjtë të mos kenë frikë për të ndërtuar familjen e tyre këtu”, tha Basha.
Ndaj, shtoi ai, na takon ne të japim prova se ua kemi lënë të tjerëve obsesionin për karrike.
Më tej Basha tha se “humbëm kohë të çmuar duke u marrë me probleme personale të pak politikanëve. Detyra jonë të jemi në shërbim të qytetarëve, të Shqipërisë”.
“Demokratët dhe mbarë shqiptarët presin dhe meritojnë një model krejt ndryshe, të politikës së vëmendshme ndaj njerëzve dhe jo të obsesuar me fatin e vet personal, të një politike të ndjeshme dhe të dhembshur, një politikë e njerëzve dhe për njerëzit, që i dëgjon ata dhe u jep zgjidhje problemeve të tyre.Pas Kuvendit Kombëtar, numërimi mbrapsht ka nisur për të gjithë ne”, theksoi Basha.
Basha u shpreh se “Kuvendi Kombëtar i 2 shtatorit është një mesazh i fortë për të gjithë. Të qartë për përgjegjësinë që kanë mbi supe për ta nxjerrë vendin nga kriza shumë dimensionale ku ndodhet, demokratët vendosën jo vetëm të shohin drejt të ardhmes, por të nisin punën për ta ndërtuar atë”.
Sipas tij, është hera e fundit që PD nuk ka kandidat për zgjedhjet
“Dëshmi e kostove që ngjarjet brenda nesh kanë prodhuar, janë edhe zgjedhjet e Kukësit. Ne respektuam vullnetin e Degës së Kukësit për të mos nxjerrë kandidat, sepse është dhe përgjegjësia jonë, e të gjithëve bashkë, që për një kohë të gjatë u morëm me luftën me njëri-tjetrin dhe jo me ringritjen dhe riorganizimin e partisë. Sot përfundojmë plotësimin e strukturës dhe të gjithë, pa përjashtim, me mua të parin, duhet të jemi në terren për të ringritur partinë dhe për të qenë gati, kudo dhe kurdo për përballje elektorale”, tha Basha.
/k.s/






















