Ballina Aktualitet

Vodhën automjetin, Policia i kap brenda 30 minutave

TIRANË, 18 Gusht/ATSH/ Reagimi në kohë i shërbimeve të Policisë parandalon vjedhjen e një automjeti.

Sipas njoftimit të Policisë së Vlorës, dy shtetas vodhën  një automjet në “Plazhin e Ri”, në Vlorë, por reagimi në kohë i Policisë bëri të mundur lokalizimin dhe ndalimin pas rreth 30 minutash ndjekjeje, të 2 shtetasve që kishin vjedhur automjetin. Policia vuri në pranga një 22-vjeçar që drejtonte automjetin e vjedhur dhe një 17-vjeçar që ishte pasagjer në këtë automjet.

“Shërbimet e Policisë që patrullonin në territor, për garantimin e rendit dhe sigurisë, morën njoftim për vjedhjen në një lavazh, të një automjeti në pronësi të shtetasit S. G., në afërsi të “Plazhit të Ri”, Vlorë”, njofton Policia.

“Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe forcat “Shqiponja”, falë reagimit në kohë dhe si rezultat i kontrollit të territorit, lokalizuan automjetin dhe u vunë në ndjekje të tij”, vijon njoftimi.

“Pas rreth 30 minutash ndjekjeje, bënë të mundur bllokimin e automjetit, të cilin po e drejtonte shtetasi A. Z., 22 vjeç dhe kishte pasagjer shtetasin A. H., 17 vjeç, banues në Vlorë. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Z., 22 vjeç, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. H., 17 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim”, përfundon njoftimi.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEnergjia diellore, Rama: Fotovoltaikë në 9 Drejtoritë Rajonale të Transportit Rrugor
Artikulli tjetërSHKUP – Kuvendi nis debatin për ndryshime kushtetuese