TIRANË, 12 maj/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh edhe drejtuese politike në Shkodër, Elisa Spiropali deklaroi sot se kandidati i PS-së për bashkinë e Shkodrës, Benet Beci do ta çojë Shkodrën aty ku i takon të jetë, me sytë nga e shkuara e saj e lavdishme, por duke parë përpara, drejt objektivit për ta bërë Shkodrën një perlë në rajon.
Në takimin përmbyllës të fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama, Spiropali tha se shkodranët duhet t’ia besojnë atij votën.
“Shkodra është si asnjë vend, si një botë e tërë që vlen të zbulohet. Ka qytete që mburren se kanë det, ka qytete që mburren se kanë kala, të tjerë se kanë lumë, e qytete që mburren për liqen. Shkodra mund të mburret se i ka të gjitha, nga bukuritë natyrore te kultura, arti, historia e trashëgimia. Shkodra është e bekuar. Benet Beci do ta çojë Shkodrën aty ku i takon të jetë, me sytë nga e shkuara e saj e lavdishme, por duke para përpara drejt objektivit për ta bërë Shkodrën një perlë në rajon. Benet Beci mund ta bëjë. Benet Beci di ta bëjë, dhe duhet t’i besojmë atij votën”, u shpreh Spiropali.
Spiropali komentoi edhe deklaratat e opozitës për tradhti nga ana e Becit.
“Punën e politikës e shikojnë vetëm si besnikëri të verbër, pa vizion dhe projekt. Benet Beci është besnik i Shkodrës dhe ka gjetur rrugën për të ardhur në Shkodër. Ka nderuar çdo qeveri ku ka punuar e drejtuar. Është një udhëheqës”, tha ajo.
Sipas Spiropalit, Benet Beci nuk ngre flamurin e partisë, por ngre lart flamurin e krenarisë së Shkodrës, por edhe projekton të ardhmen.
“Do të bëjmë për Shkodrën atë që nuk është bërë për dekada”, deklaroi ajo.
/r.e/














