Ballina Ekonomi

Paga minimale, nga sot aplikohet në e-Albania për subvencionim

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Nga sot kompanitë mund të aplikojnë përmes e-Albania për të përfituar subvencionimin për koston shtesë të kontributeve shoqërore për aplikimin e pagës minimale prej 40 mijë lekësh.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot edhe kategoritë e kompanive që do të mund të përfitojnë.

Gjatë konferencës për shtyp mbi zhvillimet në ekonomi përgjatë 3-mujorit të parë, Ibrahimaj tha se përfituese janë kompanitë në industrinë përpunuese, ato në sektorin e peshkimit dhe pyjeve.

“Nga sot në e-Albania shfaqet linku i aplikimit, në seksionin specifik të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësimit (AKPA). Kategoritë e subjekteve që përfitojnë subvencionim për kostot e shtuara të kontributeve të sigurimeve shoqërore të lidhura me rritjen e pagës minimale janë të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave dhe përfshijnë industrinë përpunuese ku hyn e gjithë manifaktura dhe seksionet e bujqësisë që përfshijnë pyjet dhe peshkimin”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, subjektet do të marrin subvencionim për numrin e të punësuarve me pagë minimale të regjistruar në fund të vitit 2022.

AKPA është përgjegjëse për ndjekjen e procesit të aplikimit dhe subvencionim.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTreguesi i besimit në ekonomi arrin nivelin më të lartë historik
Artikulli tjetërKurti dhe Vuçiç miratojnë deklaratën e përbashkët për të zhdukurit