TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit Taulant Balla së bashku me kryetaren e bashkisë Roskovec Majlinda Bufi zhvilluan sot bashkëbisedim me banorët e zonës së Vidhishtit.
Balla në fjalën e tij u shpreh se sot Roskoveci është në drejtimin e duhur, jo si në kohën kur ishte Saliu dhe nuk bënë asgjë, asnjë investim.
“Jam i gatshëm të përballem me këdo edhe nga opozita për të bërë bilancin e punëve të bëra në Roskovec, të gjithë e dinë se ku e gjetëm Roskovecin në vitin 2015, ndërsa sot Roskoveci është në drejtimin e duhur. Për çfarë t’ia japësh votën Sali Berishës, ai nuk ka hallin tonë, ai ka hallin e vet, atij i duhet një votë për t’ia drejtuar Amerikës, për këtë e do votën Sali Berisha, ndërsa ne na duhet një votë për të vazhduar transformimin e Roskovecit”, tha Balla.
Gjithashtu Balla bëri edhe një bilanc të punëve të bëra si dhe ndihmën e dhënë ndaj qytetarëve në këtë inflacion lufte.
“Gjatë këtij viti lufte i cili filloi që në fillim të Shkurtit të japë efektet e saj, qeveria shqiptare ka arritur që të indeksojë apo rritsë pensionet me 10%. Kaq janë mundësitë, po të kishim më shumë, më shumë do t’i rrisnim, por nga viti i 2013 deri më sot fondi për pensionet është dyfishuar, dhe do vazhdojmë.
Investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë. Ne do vazhdojmë të investojmë në bujqësi në pika grumbullimi dhe mos të harrojmë që këtë vit e mbyllim me 500 mln dollarë eksporte në bujqësi. Gjithashtu mos të harrojmë që qeveria shqiptare vazhdon të subvencionojë çmimin e energjisë elektrike, dhe do vazhdojë ta bëjë këtë sepse ne duhet t’i gjendemi pranë çdokujt”, u shpreh Balla. /j.p/






















