Ballina Flash

Rama: “Te Mulliri”, bujtina e ngritur në tokën e të parëve

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ Një tjetër bujtinë e bukur është ngritur rishtazi në fshatin Gur i Bardhë në Klos.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga bujtina “Te Mulliri”, që është një sipërmarrje familjare, ku i zoti i shtëpisë Avniu, pas viteve të gjata emigrimi në Angli u kthye në vendlindje, e ku falë edhe mbështetjes së qeverisë nga AZHBR përmes programit IPARD, mundi të ngrinte këtë bujtinë të bukur në tokën e të parëve të tij.

Rama theksoi se, “Te Mulliri” është një agroturizëm me suksesin e vulosur që në nisje, pasi numri i turistëve që kërkojnë ta vizitojnë vjen gjithnjë në rritje, nxitur dhe nga produktet tradicionale dhe natyra e rrallë e kësaj zone të veriut të Shqipërisë.

Agroturizmi po merr gjithnjë e më shumë zhvillim në zona të ndryshme turistike të vendit përmes bujtinave të ngritura. Transformimi i zonave rurale në peizazhe tërheqëse, ka nxitur krijimin e agroturizmit, si një model i ri i zhvillimit rural në Shqipëri.

Programi i qeverisë për bujqësinë ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: 3791 aplikime në një muaj për panelet diellore
Artikulli tjetërSHKUP – Steinmeier: Gjermania mbështet rrugën drejt BE-së të Maqedonisë së Veriut