Ballina Flash

Spiropali: Buxheti i emergjencave plotëson gjithë nevojat e qytetarëve

TIRANË, 21 nëntor/ATSH – I. Vata/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në përditësimin e të dhënave të situatës së reshjeve në Shkodër, falënderoi trupat e Forcave të Armatosura që kanë ndihmuar në evakuimin e qytetarëve.

Ajo tha se pushteti vendor duhet që fondin e emergjencës ta përdorë në këtë ditë të keqe.

“Dua të falënderoj të gjithë trupat e ushtrisë që janë të dislokuar këtu dhe ministrin për dislokimin e mjeteve, transportimin e qytetarëve. Ka qenë e domosdoshme dhe trupat e ushtrisë kanë qenë këtu për t’u shërbyer qytetarëve. Lajmi i mirë është që është hapur rruga në harkun e Bërdicës. Po ashtu, banorët që janë evakuuar janë në kujdes dhe ne do të bëjmë maksimumin edhe për familjet që janë evakuuar në qendrat ku janë vendosur. Pushteti vendor duhet që fondin e emergjencës ta përdorë në këtë ditë të keqe. Është pikërisht për këtë arsye se këtë vit edhe vitin e ardhshëm janë parashikuar fondet për të gjitha ato gjëra që iu duhen qytetarëve. Në këtë ditë ka mundësi që buxheti i emergjencave t’i plotësojë këto nevoja”, tha ajo.

Po ashtu, Spiropali u kërkoi institucioneve të bashkërendojnë veprimet dhe kryetarit të bashkisë së Shkodrës i kërkoi që të shkojë aty ku qytetarët kanë nevojë.

Ajo tha se kryetari i bashkisë së Shkodrës nuk mori pjesë në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave.

“Dua të falënderoj dhe institucionet e tjera që kanë koordinuar të gjithë punën, prefekturën, deputetët, shefin e Emergjencave por mbi të gjitha bashkëpunimin që kemi pasur me qytetarët që kanë pranuar të lëvizin për ndjeshmërinë që kanë mbi një situatë të tillë e cila nuk është e robit por e zotit dhe e natyrës por që është përballuar deri në këtë moment me përgjegjësi maksimale. Ne do jemi këtu në vazhdim dhe unë kërkoj bashkëpunimin dhe koordinimin e të gjithëve se ashtu siç nuk kanë munguar burokracitë me komunikimin me pushtetin vendor, pavarësisht se kryetari i bashkisë zgjodhi të mos vijë në mbledhje të shtabit të emergjencave, ne sërish i bëjmë ftesë të jetë aty ku e kërkojnë punët sepse ka një kohë për të bërë deklarata politike por ka dhe një kohë për t’u bërë të gjithë bashkë për të kapërcyer vështirësitë e situatës”, tha Spiropali.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSituata nga reshjet në Shkodër, pezullohet mësimi edhe nesër në 14 shkolla
Artikulli tjetërMM: Përmirësim i konsiderueshëm i situatës nga reshjet në Shkodër e Lezhë