TIRANË, 1 nëntor/ATSH/ Qeveria ka kërkuar vendosjen e një tatimi të jashtëzakonshëm për tri kompani të mëdha prodhuese në sektorin e energjisë.
Kjo, me argumentin se kanë fitime marramendëse që vijnë nga fati, sepse nuk kanë bërë asnjë gjë për të pasur shumëfishin e fitimeve. Ndaj argumentohet se duhet të paguajnë tatim shumë më të lartë, tatim të jashtëzakonshëm në një kohe të jashtëzakonshme.
Por, deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe, propozoi sot gjatë diskutimit të projektbuxhetit për vitin 2023, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, që në skemën e tatimit të jashtëzakonshëm të futen dhe kompani të tjera, që kanë fitime të mëdha nga “inflacioni i luftës“, siç e quajti ai.
Konkretisht, Braçe tha se në skemën e tatimit të jashtëzakonshëm duhet të futen edhe kompanitë që operojnë në sektorin e tregtimit të karburanteve dhe ato të prodhimit dhe eksportit të hekurit.
Çmimi i të dy këtyre produkte, si karburanti dhe hekuri kanë shënuar rritje të lartë në tregjet ndërkombëtare.
“Inflacioni i luftës dhe çmimet e rritura vlejnë si argument pa diskutim, vlejnë dhe për mbifitimet. Ju do të sillni tatim mbifitimeve që vijnë nga HEC-et. Por nuk është vetëm ky sektor që ka mbifitim. Tregu i karburanteve ka fitim mbi 3 %. Rikthejuni bilanceve dhe fiskalizoni këtë treg. Përtej HEC-eve, shikoni tregjet e tjera që kanë mbifitim. Po marr edhe hekurin. Hekuri që prodhohet në vend. Ka bërë kërdinë që nga shkurti e deri tani. Analizoni faturat e skrapit, dhe koston dhe shikoni fitimet”, tha ai.
/r.e/























