TIRANË, 5 maj /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta e konsideroi sot tepër të rëndë dhe të papranueshëm humbjen e jetës së 31-vjeçarit në Komisariatin e Policisë së Kavajës.
“Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit Ilvi Meta, e konsideroj tepër të rëndë dhe të papranueshëm faktin që një qytetar humb jetën brenda institucioneve shtetërore, sikundër është Komisariati i Policisë së Kavajës”, u shpreh Meta në një reagim.
“Humbja e një jete në një moshë fare të re brenda Komisariatit të Policisë përbën jo vetëm një tragjedi familjare, por trondit thellësisht besimin e qytetarëve tek organet ligjzbatuese”, tha Meta.
Meta bëri thirrje, “për zbardhjen sa më parë të rrethanave të vdekjes tragjike të të riut Ilvi Meta dhe vendosjen përpara drejtësisë të përgjegjësve për këtë tragjedi të pajustifikueshme”.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se më 4 maj, rreth orës 19:00, në dhomat e sigurisë/ndalimit/arrestimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë, shtetasi i arrestuar I.M., 31 vjeç, ka kryer vetëvrasje duke përdorur lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur, duke gjetur më pas dhe vdekjen.
/j.p/r.e/























