BRUKSEL, 14 shkurt /ATSH-ANA/ – Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano deklaroi se sovraniteti i Greqisë mbi ishujt e saj është i padiskutueshëm, në një reagim ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu.
“Sovraniteti i Greqisë mbi këto ishuj është i padiskutueshëm. Turqia duhet ta respektojë atë, të përmbahet nga deklaratat dhe veprimet provokuese në këtë drejtim, të angazhohet pa mëdyshje në marrëdhënie të mira fqinjësore dhe të punojë për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje në mënyrë paqësore. Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të respektohen”, theksoi ai.
Stano gjithashtu vuri në dukje se komentet e ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu në një intervistë të fundit, që kundërshtonin sovranitetin e Greqisë mbi disa nga ishujt e saj, ishin kundërproduktive dhe ndikonin në përpjekjet për shpërshkallëzimin e situatës në Mesdheun Lindor, të kërkuara në Konkluzionet e Këshillit Evropian të 24-25 qershor 2021./ /os/






















