Ballina Aktualitet

Çupi: Konsultime me qytetarët dhe ekspertët për ndarjen e re territoriale

TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi tha sot se “vendimi i parlamentit për nisjen e punës për Reformën Territoriale, është një hap i parë shumë i rëndësishëm përpara. Ndaj ne kemi ngritur grupin e punës për të nisur konsultime me qytetarët dhe ekspertët në çdo cep të vendit”.

Në një deklaratë për shtyp, Çupi theksoi se “reforma territoriale është një nga prioritet madhore të PD. Për ta çuar shërbimin pranë qytetarit, për t’i dhënë atij mundësinë të zgjedhë përfaqësuesin e vet”.

“Më pak shërbime, më shumë të punësuar dhe shumë para të çuara dëm. Kjo është ajo që prodhoi reforma administrative e Edi Ramës në 2014-ën. Qëllimi i vërtetë i Edi Ramës nuk ishte vetëqeverisja vendore, por, krijimi i zonave elektorale, ashtu siç i interesonte atij. Pasi për të, çdo vendim është përfitim monetar dhe kalkulim votash, dhe normalisht qytetarët janë të fundit”, nënvizoi Çupi.

Sipas saj, shpenzimet për administratën e bashkive pas ndarjes administrative janë rritur mbi 23 %, dhe shërbimet publike në ish-komuna janë përkeqësuar.

“Në pjesën më të madhe ka zero investime në këto vite, rrugë të shkatërruara, mungesë uji, mungesë investimesh në sektorin energjetik etj. Mungesa e investimeve bën që qytetarët e zonave të thella të udhëtojnë deri në 4 orë për të shkuar në zyrat e bashkisë. Territori i ndarjes së re të një pjese të madhe të bashkive është në zona të thella malore, ku në pjesën më të madhe të vitit qarkullimi është i kufizuar dhe shpesh i pamundur”, tha ajo.

Deputetja Çupi shprehet se “thirrja jonë është për të gjithë qytetarët dhe ekspertet që duan të japin kontributin e tyre në këtë proces shumë të rëndësishëm, të na bashkohen, janë të mirëpritur, sepse të gjithë bashkë mund të krijojmë një reformë administrative në shërbim të qytetarëve kudo ku ata banojnë”.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – BE: Sovraniteti i Greqisë mbi ishujt e saj është i padiskutueshëm
Artikulli tjetërKIEV – Zelensky fton Biden të vizitojë Ukrainën