Ballina Bota

KIEV – Zelensky fton Biden të vizitojë Ukrainën

KIEV, 14 shkurt /ATSH-UKRINFORM/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky gjatë një telefonate me presidentin amerikan Joe Biden e ftoi atë të vizitojë Kievin në ditët në vijim dhe e siguroi se kryeqyteti ukrainas dhe qytetet e tjera janë nën mbrojtje të sigurt.

Zelensky theksoi se ”vend i tij i kupton të gjitha rreziqet aktuale dhe është gati për çdo zhvillim”.

“Ne do të ndalojmë çdo përshkallëzim në Ukrainë. Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, Kharkivi, Lvivi, Dnipro dhe Odesa janë të sigurta dhe nën mbrojtje të besueshme”, theksoi ai.

Zelensky gjithashtu vuri në dukje hapat e ndërmarra nga SHBA dhe partnerët e tjerë që vazhdojnë t’i ofrojnë Ukrainës mbështetje efektive.

Zelensky falënderoi Biden për mbështetjen e palëkundur të SHBA për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe theksoi rëndësinë e ofrimit të garancive efektive të sigurisë për vendin.

”Ne jemi të gatshëm ta diskutojmë atë në formate të ndryshme”, tha Zelensky duke theksuar se ”nuk mund të ketë siguri në Evropë pa sigurinë e Ukrainës”.

Të dyja palët rikonfirmuan gjithashtu unitetin e qëndrimeve për rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve politike dhe diplomatike për zhbllokimin e procesit të paqes dhe rivendosjen e stabilitetit.

Zelensky theksoi se ”Ukraina kërkon ekskluzivisht një zgjidhje paqësore e konfliktit. Ne nuk jemi ende anëtarë të NATO-s. Prandaj, vetëm një ushtri e fuqishme ukrainase është çelësi i sigurisë së shtetit tonë”.

Zelensky falënderoi Biden për mbështetjen e tij dhe e ftoi atë të vizitojë Ukrainën.

“Jam i bindur se ardhja juaj në Kiev në ditët e ardhshme, vendimtare për stabilizimin e situatës, do të jetë një sinjal i fuqishëm dhe do të kontribuojë në uljen e përshkallëzimit”, shtoi ai./  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakÇupi: Konsultime me qytetarët dhe ekspertët për ndarjen e re territoriale
Artikulli tjetërMargariti: Trifon Xhagjika, poeti dhe gazetari që luftoi për fjalën e lirë