TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja në hapësirën informative përbëjnë një sfidë gjithnjë e më të madhe për demokracitë, veçanërisht në kushtet e zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe përhapjes së rrjeteve sociale.
Pedagogu dhe studiuesi francez David Colon, specialist në manipulimin e informacionit, vë në dukje rreziqet që paraqesin këto ndërhyrje për debatin publik dhe proceset demokratike, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend në vijën e parë të luftës globale të informacionit.
Në një video të realizuar në Institutin Francez në Tiranë, Colon shpjegon mënyrat përmes të cilave aktorë të huaj përpiqen të ndikojnë në debatin publik të vendeve të tjera, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për përballimin e kësaj sfide.
“Quhem David Colon dhe jam pedagog dhe kërkues shkencor në shkenca politike. Jam autor i disa librave mbi historinë e informacionit dhe specialist në luftën kundër manipulimit të informacionit”, shprehet ai.
Sipas studiuesit, manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja përfshijnë operacione përmes të cilave një shtet ndërhyn në debatin publik të një shteti tjetër, me synimin për të ndikuar te perceptimet e publikut ose, në raste të caktuara, te proceset zgjedhore.
Ai rendit ndër format e këtyre ndërhyrjeve përdorimin e llogarive të rreme në rrjetet sociale, influencuesve të paguar në mënyrë të fshehtë dhe agjentëve të ndikimit, të cilët përçojnë narrativa të caktuara për të shtrembëruar debatin publik.
“Sot, për shoqëritë civile, ndërhyrjet dhe manipulimet e huaja përbëjnë një sfidë madhore për shkak të përdorimit të inteligjencës artificiale. Kjo është ajo që sot e vendos Shqipërinë në vijën e parë të kësaj lufte globale të informacionit”, thekson Colon.
Ai vlerëson se kjo sfidë merr rëndësi të veçantë në një kohë kur aktorë shtetërorë përpiqen të ndikojnë në debatin publik shqiptar dhe të shtrembërojnë perceptimin mbi të, me synimin për të dobësuar shanset e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Evropian në vitet e ardhshme.
Në këtë kontekst, studiuesi nënvizon domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të përfshirjes së Bashkimit Evropian në përballimin e këtyre operacioneve.
“Prandaj, sot, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe përfshirja e Bashkimit Evropian janë më të domosdoshme se kurrë për të luftuar kundër këtyre operacioneve, për t’i denoncuar publikisht kur kjo është e mundur, por gjithashtu edhe për të forcuar qëndrueshmërinë e shoqërisë shqiptare përballë këtyre ndërhyrjeve të huaja”, shprehet Colon.
Ai e përmbyll mesazhin e tij duke theksuar se lufta kundër manipulimit të informacionit kërkon angazhimin e të gjithë shoqërisë.
“Lufta kundër manipulimit të informacionit është, pra, përgjegjësi e të gjithëve”, deklaron studiuesi francez.
La #désinformation de nos jours.
⏯️ Découvrez une courte vidéo de David Colon, tournée à l’Institut français @KubFranceTirana 🟦.
#franceenalbanie https://t.co/RNBYC4H3dU
— France en Albanie (@France_Albanie) November 2, 2026
/gj.m/a.f/r.e/























