Ballina Bota

FOKUS – Frontex: Bie me 1/3 numri i migrantëve që synojnë BE- në

ROMË, 20 tetor /ATSH-ANSA/ – Numri i kalimeve të parregullta të kufirit drejt Bashkimit Evropian vazhdoi të ulej gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, ku rastet e evidentuara ranë me pothuajse një të tretën krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rruga e Mesdheut Qendror shënoi rënien më të ndjeshme, me një ulje prej 56% të rasteve të evidentuara krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas Frontex, agjencia evropiane për ruajtjen e kufijve dhe bregdetit.

Të dhënat paraprake tregojnë se janë regjistruar pak më shumë se 91,000 kalime.

Vetëm në muajin shtator u evidentuan rreth 14 300 kalime – një shifër 28% më e ulët se në shtatorin e vitit 2025, por 11% më e lartë se në gusht, për shkak të kushteve më të favorshme përgjatë korridoreve kryesore detare.

Kjo periudhë përkoi gjithashtu me verën e parë të plotë nën zbatimin e Paktit të BE-së për Migracionin dhe Azilin, i cili vendos një procedurë të unifikuar dhe të standardizuar verifikimi në kufijtë e jashtëm të Bashkimit.

Rruga e Mesdheut Perëndimor ishte e vetmja rrugë kryesore që shënoi rritje, me një shtim prej 26% të rasteve të evidentuara.

Ndërsa numri i përgjithshëm i mbërritjeve të parregullta vazhdon të ulet, kostoja njerëzore mbetet e lartë.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, pothuajse 2 000 njerëz kanë humbur jetën në Mesdhe që nga fillimi i vitit.   /os/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Trump akuzon Ukrainën se nuk i ka dhënë asgjë SHBA-së në këmbim të mbështetjes amerikane
Artikulli tjetërSHBA – Rubio mohon ndërprerjen e shkëmbimit të informacioneve me Ukrainën