Ballina Flash

Ekselenca e valles shqiptare mblidhet për koncertin kushtuar Rexhep Çelikut

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Me pasion e përkushtim, trupa e valleve të Ansamblit Popullor, nën drejtimin e mjeshtrit të valleve Genc Kastrati, po punon për të sjellë në skenën e TKOBAP-së shpirtin fluturues të valltarit të shquar Rexhep Çeliku.

Për të sjellë në skenë një koncert dinjitoz, ashtu siç i ka hije figurës së Rexhep Çelikut, TKOB bëri me dije se, ishte e domosdoshme të bëhej bashkë ekselenca e valles shqipe, bashkëudhëtarët e tij, mjeshtrit që ndanë skenën me të për dekada me radhë.

Drejtori i Ansamblit Popullor, Sokol Marsi dhe përgjegjësi i valleve Genc Kastrati, së bashku me gjithë ekselencën e valles shqiptare, diskutuan se si mund të mishërohej sa më bukur në skenën e TKOBAP-së trashëgimia artistike e Rexhep Çelikut.

Koncerti është parashikuar të shfaqet më 19 shkurt, kur valltari i shquar do të kujtohet me këngë dhe valle popullore, artin që ai e deshi aq shumë.

Pjesëmarrëse në shfaqje do të jetë edhe bilbili i këngës popullore, Irini Qirjako e cila aktualisht po bën prova për koncertin “Kërcimtari Fluturues”. /j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPulla postare në Kosovë, 80-vjetori i gazetës “Rilindja”
Artikulli tjetërRama: Rikualifikim i Pallatit të Kongreseve me konkurs ndërkombëtar