TIRANË, 4 shkurt /ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Shqipëria ka popullin më proeuropian që është edhe mbështetja e domosdoshme pa të cilën është shumë e vështirë të ndërmerren dhe zbatohen reformat që çojnë drejt Bashkimit Europian.
Gjatë prezantimit të raportit të OECD/SIGMA mbi transformimin e sektorit publik, Rama u ndal tek përplasja midis adoptimit të legjislacionit europian dhe kulturës së vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një kulturë jo fort të gatshme për t’iu përgjigjur legjislacionit. Kur flasim për kulturën në këtë aspekt, besoj se thelbi është tek institucionet, tek kultura e institucioneve, jo tek kultura e personave. Duke na munguar kultura e institucioneve, ashtu e shtresëzuar në shekuj siç është në vende të tjera që sot udhëheqin BE-në, ne kemi një hendek shumë më të madh për të mbushur. Këtu vijmë tek BE, SIGMA dhe të gjithë instrumentet e tjerë, tek edukimi institucional, i cili në këtë periudhë besoj që është vënë më shumë në qendër të vëmendjes se më parë,” tha Rama.
Sipas kryeministrit duhet ende më shumë, lidhur me informimin e aktorëve institucionalë të sipërmarrjes apo të qytetarëve.
“Të gjitha këto janë me shumë shërbesë, sepse është presioni i dyfishtë i publikut që është në Shqipëri publiku më proeuropian dhe presioni i BE-së për të marrë prej nesh provën e përmbushjes së të gjitha kritereve. Besoj se jemi në pozicionin që shumëkush do të donte të ishte nga vendet e tjera të rajonit. Duke pasur popullin më proeuropian, kemi bazë shumë të fortë që bën që të gjitha reformat dhe përpjekjet që na çojnë në drejtim të BE-së të kenë mbështetjen e domosdoshme pa të cilën është shumë e vështirë të ndërmerren dhe zbatohen reformat,” tha Rama.
Kryeministri vlerësoi po ashtu punën e bërë nga ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ndërsa shtoi se duke krijuar një ministër të dedikuar për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin vendi ka bërë një hap në drejtimin e duhur.
/a.f/r.e/






















