TIRANË, 11 janar /ATSH/ Nga Pogradeci ku zhvilloi një takim me degën e Partisë Demokratike, kreu i PD-së, Sali Berisha akuzoi qeverinë për pensionet e ulëta.
“Çfarë mund t’u thuhet sot pensionistëve që, sot janë 780 mijë gra dhe burra, kanë shkri jetën, dhe që në një buxhet 8.2 mld euro ndahen 16 milionë euro”, tha Berisha.
Berisha bëri edhe një krahasim me vendet e rajonit.
“Po se, një pensionist në Shqipëri të marrë mesatarisht 170 euro, në Mal të Zi të marrë 450 euro. Kush ka qenë nga ju në Mal të Zi? Çfarë ka Mali i Zi? Nuk ka asnjë të 1/5 të pasurive të Shqipërisë. Po, pse, një pensionist në Maqedoni të marrë 280% të pensionit që marrim ne? Dhe të gjitha këto, me të gjitha dokumentet, ne ishim para të gjithëve në vitin 2013. Ata ishin ndën ne në pensione, ndën ne në rroga. Kosova, shtet i sapoformuar, i shpallën pavarësinë, përsëri pensionistët marrin 30-40% më shumë se sa në Shqipëri”, tha Berisha.
Sipas Berishës, qeveria ngriu rrogat e ulëta, ky ngriu pensionet, mashtroi me indeksimin e pensioneve.
“Në dhjetor të vitit 2023, votohet në parlament buxheti, ku pensionistëve do iu jepej indeksimi me 4%. Erdhi marsi gjer në tetor, asnjë qindarkë. Që ishte ligj. Por ligjin nuk mund ta shkelë kurrë qeveria. Por një qeveri që nuk ka ligj, është kjo qeveri. Dhe në tetor e vendosi, i grumbulloi, nga marsi gjer në tetor luajti bixhoz me to dhe tha po jap bonusin në dhjetor”, tha Berisha.
Duke u ndalur te programi i PD, Berisha tha se “de do vendosim minimumin jetik që çdo shqiptar që merr nën 200 euro, do marrë 200 euro. Dhe ai që nuk merr asnjë qindarkë, do marrë 200 euro. Edhe ai që merr 100 euro, do marrë 200 euro. Edhe pensionisti në fshat që merr 120 euro, do marrë 200 euro. Pensionisti në qytet që merr 170 euro, do marrë 200 euro”.
“Nuk do të ketë shqiptar që do marrë rrogë në sektorin privat, apo në sektorin publik ndën 500 euro. Jo, është jashtë çdolloj morali. Çfarë do bëhet me sipërmarrjet që, e kanë bazuar në rroga të ulëta? Do ulim taksat, do i ndihmojmë me të gjitha mënyrat. Nuk do pranojmë kurrë që t’i paguajnë nën 500 euro shqiptarët. Të eci sipërmarrja mirë, nuk të eci, ky është kushti. Çdo vend i lirë demokratik, ka jo pagën mujore, por pagën e orës, që çdo orë je i detyruar të paguhesh kaq, dhe në qoftë se nuk jep atë pagë për orën, të vihen drynat”, deklaroi Berisha.






















