TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot disa detaje të rëndësishme për projektin e stadiumit të ri “Selman Stërmasi”.
Gonxhja theksoi se ky do të jetë stadiumi i të ardhmes, ku inovacioni dhe zhvillimi do të bashkohen.
Ministri theksoi se, projekti i stadiumit të ri “Selman Stërmasi”, përtej hapësirave moderne për sportin dhe skuadrat e zemrës, do të transformojë hapësirat urbane dhe do të krijojë mundësi të reja për qytetarët, komunitetet dhe ekonominë e qytetit.
Ky projekt do të ofrojë energjizimin e qytetit, zhvillimin inovativ të pronave publike, ripërtëritje urbane dhe një stadium modern.
Sa i përket afateve të garës dhe dokumentacionit që nevojitet, Gonxhja bën të ditur se, afati total është 110 ditë.
Faza e parakualifikimit përfundon më 24 janar (30 ditë), ndërsa faza e kualifikimit zgjat 60 ditë.
Vlerësimi i projekteve do të bëhet nga juri ndërkombëtare. Do të jepen 5 çmime për idenë më të mirë të projektimit. 3 fitues do të kalojnë në fazën finale të ankandit dhe do të ketë 1 fitues të kontratës.
Në përmjet këtij projekti do të mundësohet rijetësimi i stadiumit aktual në stadium të standardit 4 të UEFA-s.
Mundësohet rikualifikim i zonës rreth stadiumit dhe rikonceptim i hapësirave urbane për përdorim publik dhe përdorim privat.
Gjithashtu ftohen pronarët privatë që t’i bashkohen nismës së Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC).
Për projektimin dhe zhvillimin e zonës urbane të stadiumi “Selman Stërmasi” ftohen arkitektë, zhvillues apo investitorë vendas dhe të huaj.
/a.f/r.e/






















