Ballina Bota

KOMENT – Gazi evropian mbi 50 euro për MWh për shkak të dimrit dhe Ukrainës

PARIS, 31 dhjetor /ATSH-AFP/ – Çmimi i gazit evropian arriti dhe më pas e kaloi sot shifrën prej 50 euro për megavat orë, i pari në më shumë se një vit, i nxitur veçanërisht nga skadimi i një marrëveshjeje tranziti midis Ukrainës dhe Rusisë dhe një dimër i ftohtë.

Rreth orës 15:35 GMT, ai fitoi pothuajse 5% në 50,430 euro për megavat orë (MWh), niveli i tij më i lartë që nga tetori 2023.

Kjo rritje lidhet me ndalimin e pritshëm të flukseve ruse përmes Ukrainës, e cila nuk do të autorizojë më nga 1 janari transitin e gazit rus në territorin e saj drejt vendeve evropiane, siç konfirmoi operatori ukrainas.

Në Evropë, disa vende në Evropën Qendrore dhe Lindore, si Austria, Hungaria dhe Sllovakia, mbeten shumë të varura nga gazi rus.

Sipas Institutit të Oksfordit për Studimet e Energjisë, ndërprerja do të rezultojë në një përshpejtim të rënies së rezervave evropiane dhe presion në rritje mbi çmimet e gazit.

Temperaturat e ftohta që nga fundi i tetorit kanë favorizuar tashmë përdorimin e ngrohjes dhe mungesa e diellit dhe erës ka bërë që një pjesë më e madhe e energjisë elektrike të prodhohet nga gazi natyror.

Rezervat e gazit janë mesatarisht rreth 73% në vendet e Bashkimit Evropian (BE), sipas platformës Evropiane të Inventarit të Agreguar të Magazinimit të Gazit (AGSI), një normë shumë më e ulët se 86% e vërejtur për të njëjtën periudhë të vitit 2023.

”Për t’u marrë me këtë, pragu i kërkuar për rezervat e gazit në Bashkimin Evropian që nga 1 shkurti është rritur nga 45% në 50%”, njoftoi Komisioni Evropian të premten më 29 nëntor.

Gjiganti rus ”Gazprom” njoftoi gjithashtu të shtunën se do të ndalonte dërgimin e gazit në Moldavi më 1 janar pas një mosmarrëveshjeje financiare me këtë ish-republikë sovjetike, e cila sapo kishte rizgjedhur një president pro evropian.

Mosmarrëveshja e saj tregtare me ”Gazprom” është para pushtimit rus të Ukrainës dhe ka të bëjë me filialin ”Moldovagaz”, 50% në pronësi të grupit rus.

Për më tepër, pjesa në rritje e LNG-së amerikane, për të zëvendësuar gazin rus të transportuar me tubacion në Evropë, ka rritur kostot për megavat orë në mënyrë strukturore që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022, BE-ja ka reduktuar ekspozimin e saj ndaj gazit rus, por sipas Christoph Halser, analist në ”Rstad Energy”, ky burim përfaqëson ende 14% të konsumit të tij total në 2024.

Çmimi është gjithashtu nën presionin e një rreziku të lidhur me përshkallëzimin e luftës midis Ukrainës dhe Rusisë, veçanërisht që nga vendimi i Joe Biden për të autorizuar Kievin të përdorë raketat amerikane ATACMS, me rreze veprimi 300 kilometra në tokën ruse.

Evropa duhet të jetë përfituesja kryesore e ardhjes së republikanëve në pushtet në lidhje me gazin.

”Lufta tregtare e afërt midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës mund të prishë rrjedhën e LNG-së midis dy vendeve, siç ishte rasti në vitin 2019″, shpjegojnë analistët./  a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTEL AVIV – Popullsia e Izraelit kalon 10 milionë banorët pavarësisht luftrave
Artikulli tjetërKOMENT – Planeti sheh 2025-n mes shpresës për paqe dhe kthimit të Trump