TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se bujqësia është një sektor tjetër i ekonomisë që ka shënuar rritje të eksporteve.
Referuar statistikave nga Dogana, Rama tha se, “eksportet bujqësore janë rritur me afro 20% në 11-mujorin e vitit 2024 dhe jemi në 435 mijë tonë eksporte bujqësore, ndërsa të dhëna inkurajuese shënohen edhe për komponentë të prodhimit të qëndrueshëm. Ndërkohë kanë vijuar investimet në argjinatura, në kullim dhe hidrovore, por edhe në segmente të reja të kanaleve kryesore në infrastrukturën bujqësore të ujitjes për rreth 8 mijë ha të tjerë”.
Sipas tij, me rëndësi është që sistemi i informacionit mbi tokën bujqësore po vazhdon me hapa inkurajuese të hyjë në fazën e digjitalizimit përfundimtar.
Praktikisht, informoi kryeministri, kemi krijuar një sistem digjital për mbi 465 ha, që praktikisht nuk ka ekzistuar as për 1 ha, më parë dhe po vijon digjitalizimi i regjistrit të tokës bujqësore.
Rama u ndal edhe në një komponent tjetër të rëndësishëm në sektorin e bujqësisë që janë tregjet.
“Kur vjen puna për tek anëtarësimi në BE, tregjet kanë qenë pika të nxehta dhe këtu kanë qenë edhe për të gjitha vendet që e kanë kryer këtë proces. Ne natyrisht kemi arsye të krenohemi se e kemi nisur nga thertorja tek kthesa e Kamzës -Milot, ku siç mund të kujtohet rruga ishte e mbushur me sensacione gjaku dhe me trupa bagëtish të varur nga kasapë me llërët e përveshur në verë. Kjo në fakt tashmë është kaluar dhe duket si një film i mesjetës që na u trashëgua nga ata që janë punësuar si revolucionarë imagjinarë. Megjithatë problemi i tregjeve është një çështje që duhet adresuar më tutje”, u shpreh Rama.
Sipas tij janë 9 tregje të produkteve bujqësore dhe gjësë së gjallë që janë bërë të reja funksionale dhe kanë përfunduar këtë vit. /j.p/






















